Lajme


“150 milionë USD nga oligarkët”, Basha propozon planin me 3 pika: Vlerësimi i banesave mund të mbarojë për 10 ditë

Postuar nga Isida Muco

2nd December 2019



Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte këtë mesditë në lagjen numër 7 të Durrësit, e cila është prekur jo pak nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar sërish lidhur me pasojat e tërmetit dhe planin e rimëkëmbjes së vendit.

Bash ishte sot ku tha se pa nga afër gjendjen e rënduar në Bubq, aty ku shumica e shtëpive kanë pësuar dëme dhe shumë prej tyre janë të pabanueshme.

“Me qindra qytetarë kalojnë netët jashtë prej një jave pa asnjë siguri nëse mund të futen në banesat e tyre”, u shpreh Basha.

“Fatmirësisht kjo situatë e rëndë u mbyll pa viktima ne këtë zonë. Por gjendja vazhdon të rëndohet për ta dhe për mijëra familje në të tre qarqet e goditura Durrës, Tiranë dhe Lezhë”.

Kreu demokrat theksoi se “ajo që duhet bërë tani është të ndërmerren urgjentisht një seri veprimesh konkrete dhe të mirëkoordinuara për të siguruar njerëzit, dhe për të nisur sa më parë rindërtimin e banesave”, duke propozuar edhe një plan me tre pika.

“Tani është momenti të veprohet me shpejtësi dhe për këtë qëllim ky është plani që ne propozojmë”:

Angazhimi dhe organizimi nga shteti i mbi 500 inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht, me qëllim për të përshpejtuar vlerësimin e banesave. Kjo kontribuon për qetësimin e gjendjes dhe sigurimin e jetës së qytetarëve.

Vlerësimin me urgjencë të banesave të dëmtuara dhe dëmeve të shkaktuara.

Qeveria në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të anullojë me efekt të menjëhershëm rreth 150 milionë dollarë të planifikuara për t’ju dhënë 10 oligarkëve, dhe këto fonde t’u akordohen mijëra familjeve në nevojë, për riparimin dhe rindërtimin e banesave të dëmtuara apo të shkatërruara.

Reagimi i shpejtë për të vlerësuar dëmet, dhe lëvrimi i fondeve për riparim dhe rindërtim do të ndihmojë në tejkalimin e traumës dhe rikthimin në normalitet”, mbyll mesazhin e tij Lulzim Basha.